Mbyllet dosja “Inceneratori i Tiranës”, asnjë në burg! Të pandehurit shlyen dënimin në paraburgim

Inceneratori i Tiranës tashmë (për momentin) është një dosje e mbyllur për SPAK! Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka rënë “çekiçit” për të gjithë të pandehurit për inceneratorin e Tiranës.

Nga të gjithë të dënuarit, për inceneratorin e Tiranës askush nuk do të qëndrojnë më në burg për shkak se e kanë shlyer dënimin gjatë kohës që kanë qenë në paraburgim.

Në këto kushte, u është shuar dënimi. Nga 8 të pandehur, vetëm një ka fituar pafajsinë, 2 zonja janë lënë në shërbim prove dhe të gjithë zyrtarëve të tjerë të lartë, u është shuar masa. Ky është rasti i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Kokës, i cili nëse nuk do të ishte akuzuar për çështje të tjera sot do të ishte në liri. E njëjta gjë vlen edhe për Taulant Tushen dhe dy ish-anëtarët e Komisionit Vlerësues, Bledar Karoli dhe Namik Simixhiu.

VENDIMET E MARRA SOT NGA GJKKO: 

Lefter Koka, 3 vite burg, 2 me gjykim të shkurtuar, i shuhet masa e sigurisë, 5 vite larg funksioneve publike

Bledar Karoli, 3 vite burg, 2 vite me gjykim të shkurtuar, i shuhet masa e sigurisë, 5 vite larg funksioneve publike

Taulant Tushe, 3 vite burg, me gjykim të shkurtuar 2 vite, 5 vite ndalim nga funksionet publike, i shuhet masa

Namik Simixhiu, 3 vite burg, 2 vite me gjykim të shkurtuar, shuhet masa e sigurisë, 5 vite jashtë funksioneve publike

Valbona Ballgjini, 2 vite burg, me gjykim të shkurtuar i konvertohet në shërbim prove

Sidita Kopliku, 1 vit e 6 muaj burg, 1 vit me gjykim të shkurtuar, konvertohet në punë në të mirë publike, 5 vite pa të drejtë funksionesh publike

Fatjon Murati, 3 vite burg, me gjykim të shkurtuar 2 vite, 5 vite ndalim nga funksionet publike

Jetmir Llapaj u shpall i pafajshëm

Përveç Llapajt, i vetmi dënim që është “aktiv” për të gjithë është ai i posteve publike. Të gjithë nuk mund të mbajnë poste publike për 5 vite, por edhe ky dënim për Lefter Kokën është i vlefshëm edhe për 1 vit. Ai është vendosur në pranga që në vitin 2021 dhe vitin që vjen, nëse fiton lirinë nga çështjet e tjera që ka ende të hapura në SPAK, mund të vazhdojë edhe karrierën e tij publike. Ligjërisht, asgjë nuk e pengon!

Por çfarë i mban ende në burg të dënuarit për inceneratorin e Tiranës?

LEFTER KOKA

Incenertori i Elbasanit- Lefter Koka, ish-ministri i Mjedisit – GJKKO e dënoi me 8.6 vite burg, me gjykim të shkurtuar, 5.8 vite (i ra akuza e shpërdorimit). Në Apel u dënua me 10 vjet burg edhe për shpërdorim detyre. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënohet me 6,8 vite burg

Inceneratori i Fierit- Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit, është dënuar me 10 vite burg nga GJKKO për aferën e inceneratorit të Fierit, por me gjykim të shkurtuar do të vuajë 6 vite e 8 muaj burg. Por në Apel u vendos që çështja të kthehet në pikën zero dhe të rigjykohet në Shkallën e Parë nga një trupë tjetër gjyqësore.

TAULANT TUSHE

Taulant Tushe për çështjen “5D”, akzohet për veprat penale “korrupsion pasiv” dhe “mosdeklarim pasurie”.Gjatë gjykimit SPAK i ka shtuar edhe veprën penale të “pastrim parash”.

Ndërsa të tjerët, do të lirohen nga qelia. Procesi për ta do të vijojë vetëm nëse ata vetë, ose SPAK, do të ankimojnë vendimin e dhënë nga GJKKO në Apel.

Inceneratori i Tiranës është sekuestruar nga SPAK që prej verës së vitit 2023, pasi rezultoi se kompania e cila fitoi koncesionin për ndërtimin e inceneratorit me vlerë 128 milionë Euro, ka si pronarë biznesmenët Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.

Gjatë hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka konstatuar një sërë parregullsish gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit dhe po ashtu ka dyshime se ish-funksionarët publikë kanë bashkëpunuar me Klodian Zoton për të bërë gati të gjitha dokumentet për të fituar koncesionin për rehabilitimin e landfillit dhe ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.