Mbyllet Akropoli dhe pezullohet puna në institucione, shkak temperaturat e larta

Është vendosur që Akropoli historik në kryeqytetin Athinë, Greqi, ku temperatura shënoi 41 gradë Celsius, të jetë i mbyllur për vizitorët nga ora 12:00 deri në 17:00, ku normalisht është i hapur çdo ditë nga ora 8:00 deri në 20:00.

Turistët kanë shprehur zemërimin e tyre për orarin e mbylljes së Akropolit duke u shprehur se kanë paguar një tarifë prej 50 euro për hyrjen e tyre. Një turist tha se ishte i zhgënjyer nga humbja e mundësisë për ta vizituar dhe se nuk do të kishte gjasa që ai të kthehej më në atë qytet.
“Unë madje preva një biletë prej 50 € për të hyrë dhe nuk mund të hyja në atë vend”, tha një turist.

Të enjten dhe të premten, Kryqi i Kuq shpërndau shishe me ujë të ftohtë për vizitorët që nuk e duronin dot vapën. Koordinatorja e Kryqit të Kuq, Ioanna Fotopoulou, tha se mjekët e ndihmës mjekësore ishin gjithashtu në gatishmëri për t’i dhënë ndihmën e parë një numri turistësh që shfaqën simptoma të dehidrimit dhe po përjetojnë periudha të fikëti.

Me vendim të Ministrisë së Punës, për shkak të nxehtit ekstrem në Greqi është pezulluar puna e shumë institucioneve dhe organizatave. Posta është ndërprerë nga ora 12:00 deri në 17:00 për shkak të vapës së madhe.
Mbledhjet në shumë institucione dhe organizata publike janë shtyrë në një datë tjetër, dhe se oraret e punës për punonjësit janë shkurtuar.

Sipas të dhënave të Departamentit të Meteorologjisë, për shkak të valës së të nxehtit të quajtur “CLEON” që do të mbizotërojë në të gjithë vendin, temperatura në Athinë ka arritur në 43 gradë ndërsa të shtunën pritet të arrijë në 44 gradë.
Vende të tjera të njohura turistike që rrethojnë Shkëmbin e Shenjtë mbi të cilin ndodhet Akropoli, si Agora e Lashtë, janë vendosur të mbeten të hapura. Ndërkohë, autoritetet kanë paralajmëruar gjithashtu për një rrezik të shtuar të zjarreve gjatë valës së të nxehtit, dy vite pasi Greqia u shkatërrua nga zjarret e paprecedentë.