Mbyllen hetimet për dosjen “SASPAC”, SPAK çon për gjykim Ilir Beqajn dhe 10 të pandehur të tjerë
SPAK ka mbyllur hetimet për abuzimet me fondet e SASPAC dhe ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme dosjen me 11 të pandehur, mes tyre edhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Beqaj akuzohet për disa vepra penale, përfshirë “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “shkelje e barazisë në tendera”, “falsifikim dokumentesh” dhe “mashtrim me pasoja të rënda”. Po ashtu, ai akuzohet për fshehje pasurie dhe deklarime të rreme.
Sipas hetimeve, Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij kanë zhvilluar procedura prokurimi fiktive gjatë viteve 2022-2023, duke cënuar rregullat e BE-së për menaxhimin e fondeve të ndihmës. Në disa raste, kontratat dhe fituesit ishin përcaktuar paraprakisht, ndërsa dokumentet ishin falsifikuar për të legjitimuar tenderët.
Gjithashtu, hetimet kanë zbuluar se Beqaj nuk ka deklaruar pronësinë e një apartamenti në Vlorë, një automjeti dhe kuotat në një shoqëri tregtare. Si rezultat, SPAK ka vendosur sekuestro mbi disa pasuri, përfshirë:
- 14.3 milionë lekë
- 15,542 euro
- 42,318 dollarë
- 19.4% të kuotave të një shoqërie tregtare
- Tre automjete
Të pandehurit e tjerë në këtë dosje përfshijnë Ermal Kurtulajn, Gazmend Haxhian, Alfred Nikollën, Elton Marinin dhe disa persona juridikë të përfshirë në tenderët e dyshimtë.
Çështja pritet të kalojë për shqyrtim në Gjykatën e Posaçme, ku SPAK do të paraqesë provat mbi skemën e dyshuar të korrupsionit dhe shpërdorimit të fondeve publike.