Në prag të 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Mbreti Charles III i Mbretërisë së Bashkuar ka dërguar një letër urimi për presidenten Vjosa Osmani, duke shprehur urimet e tij më të përzemërta për popullin e Kosovës.
“E nderuar Presidente, bashkëshortja ime dhe unë jemi të ngazëllyer që të dërgojmë urimet më të përzemërta për shkëlqesinë tuaj dhe popullin e Kosovës me rastin e veçantë të Pavarësisë. Jam shumë i kënaqur që vendet tona ndajnë lidhje kaq të forta dhe pres të forcojmë më tej miqësinë tonë,” thuhet në letrën e Mbretit Charles.
Ai thekson se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova mund të bashkëpunojnë për të sjellë ndryshime pozitive në sfidat klimatike dhe çështjet e ambientit që prekin mbarë botën.
Letra mbyllet me mesazhin: “Bashkëshortja ime dhe unë kemi kënaqësi të madhe t’ju përcjellim urimet tona më të mira për ju dhe për të gjithë kosovarët në epokën e ardhshme.”