Mbretëria e Bashkuar do t’i kërkojë Kosovës të marrë emigrantë si pjesë e planit të “qendrave të kthimit”

Britania do t’i kërkojë Kosovës të pranojë migrantët që mbërrijnë me gomone, si pjesë e planeve për të hapur një seri “qendrash kthimi” jashtë vendit, zbulon “The Times”.

Shteti i Ballkanit Perëndimor është përfshirë në një listë të ngushtë prej nëntë vendesh të përzgjedhura nga ministrat dhe zyrtarët si destinacione të mundshme për ngritjen e qendrave jashtë territorit britanik, ku do të dërgohen azilkërkuesit që janë refuzuar dhe kanë ezauruar të gjitha rrugët ligjore të apelimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë gjithashtu se vendi i saj do të ishte “i hapur” për bisedime mbi një marrëveshje të mundshme për të pranuar azilkërkuesit nga Britania.

Kosova i bashkohet Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnje-Hercegovinës dhe disa vendeve jashtë Evropës që janë përfshirë në listën e vendeve që ministrat britanikë synojnë të kontaktojnë.

Ende nuk kanë nisur bisedime formale me asnjë prej këtyre vendeve, por mendohet se ministrat duan të kenë arritur përparim deri në kohën kur Britania të presë një takim të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Londër gjatë vjeshtës, ku emigracioni i paligjshëm do të jetë në krye të axhendës.

Ministrat kishin shpresuar se Shqipëria do të ishte e hapur për të pritur një nga qendrat britanike të kthimit, por kryeministri Edi Rama e përjashtoi këtë mundësi javën e kaluar.

Burime të larta të qeverisë britanike thanë se Kosova është një vend “i besueshëm” për ngritjen e një qendre të tillë kthimi, pasi ndodhet në një nga rrugët kryesore që përdorin migrantët e paligjshëm në drejtim të Bashkimit Evropian. Sipas Zyrës së Jashtme britanike, rreth 22,000 migrantë të paligjshëm përdorën vitin e kaluar rrugën e Ballkanit Perëndimor për të hyrë në BE.

Provat se migrantët kanë kaluar përmes një vendi që do të presë një qendër kthimi, shihen si një element kyç për të lehtësuar procesin ligjor të dëbimit të tyre. Mbretëria e Bashkuar do të mund të argumentojë se ata kanë pasur mundësinë të kërkojnë azil në një vend “të sigurt”, por kanë zgjedhur të mos e bëjnë.

Më shumë se 3,000 migrantë hynë në BE përmes Ballkanit Perëndimor në katër muajt e parë të vitit, përfshirë 804 vetëm në prill, sipas agjencisë së kufirit të BE-së, Frontex. Shtetasit afganë, turq dhe sirianë përbëjnë pjesën më të madhe të këtyre mbërritjeve.

Kosova, një nga vendet më të varfra të Evropës, ka një popullsi prej rreth 1.6 milionë banorësh dhe kufizohet me Serbinë në veri dhe lindje, Maqedoninë e Veriut në juglindje, Shqipërinë në jugperëndim dhe Malin e Zi në perëndim.

Presidentja Osmani deklaroi javën e kaluar se vendi i saj do të ishte i hapur për idenë e ngritjes së një qendre kthimi për Britaninë. “Nuk ka pasur bisedime formale me Mbretërinë e Bashkuar për këtë çështje. Nuk është ngritur deri tani,” tha ajo.

“Do të ishim të hapur për ta diskutuar, por nuk mund të them më shumë, pasi nuk njoh detajet. Nuk mund të jap një përgjigje për një kërkesë që nuk është bërë ende.”

Disa vende të tjera evropiane po shqyrtojnë ngritjen e qendrave të tilla jashtë territorit për migrantët e paligjshëm, përfshirë Italinë, Danimarkën, Gjermaninë, Holandën dhe Zvicrën.

Çdo marrëveshje me Kosovën do të kërkonte që Britania të paguante për çdo azilkërkues të refuzuar që do të zhvendosej atje.

Kosova e ka treguar vullnetin e saj për të nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare për të pranuar migrantët e padëshiruar të Evropës. Në vitin 2021, ajo ra dakord për një marrëveshje prej 200 milionë eurosh me Danimarkën për të pranuar 300 të burgosur të huaj danezë, të cilët do të kryejnë pjesën e mbetur të dënimit në Kosovë deri sa të dëbohen në vendin e tyre, megjithëse kjo marrëveshje ende nuk është zbatuar.