Mblidhet sot Këshilli i Sigurimit Kombëtar/ Në fokus, rreziku nga sulmet kibernetike

Mblidhet sot Këshilli i Sigurimit Kombëtar. Në fokus të diskutimit është rreziku nga sulmet kibernetike, ndërkohë Këshilli mblidhet me urdhër të presidentit Bajram Begaj.

NJOFTIMI

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj bazuar në pikën 3, të nenit 168 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 10 të ligjit 64/2014 “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” (i ndryshuar), ka vendosur mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, sot më datë 13 Qershor 2023 ora 12:00, në sallën e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, në Institucionin e  Presidentit të Republikës, me temë:

“Gjendja e sigurisë kibernetike dhe masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në Republikën e Shqipërisë”

Thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar synon të bëjë një analizë gjendjes aktuale të sigurisë kibernetike, sfidave dhe kërcënimeve me të cilat përballemi në këtë drejtim. Insititucionet përgjegjëse do të informojnë Këshillin e Sigurimit Kombëtar për masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në zbatim të rekomandimeve të dhëna nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, në muajt Tetor 2022 dhe Janar 2023.

 

 

Pjesëmarrës në këtë mbledhje do të jenë:

  1. Kryetari Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Zonja Lindita NIKOLLA
  2. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Zoti Edi RAMA
  3. Zv/Kryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda BALLUKU
  4. Ministri i Mbrojtjes, Niko PELESHI
  5. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta XHAÇKA
  6. Ministri i Drejtësisë, Ulsi MANJA
  7. Ministri i Brendshëm, Blediar ÇUÇI
  8. Minstri i Finacave dhe Ekonomisë, Delina IBRAHIMI
  9. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Nasip NAÇO
  10. Shefi Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, Gjeneral brigade Arben KINGJI
  11. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet RRUMBULLAKU
  12. Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Zonja Vlora HYSENI

Në këtë mbledhje janë ftuar të marrin pjesë edhe:

  1. Zv/Kryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Ferdinand XHAFERAJ
  2. Drejtori i Autoriteti Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike, Igli TAFA
  3. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda KARÇANAJ