Mblidhet Asambleja e Jashtëzakonshme e Urdhrit të Psikologut, kërkohet shkarkimi i presidentes, Valbona Treska

Asambleja e Jashtëzakonshme e Urdhrit të Psikologut të Shqipërisë kërkuar nga 1/3 e të gjithë anëtarëve të Asamblesë, u zhvillua këtë të shtunë në kryeqytet.

Rreth 550 psikologë e thirrën këtë proces të parë dhe të paprecedentë, për shkak të shkeljeve sipas tyre, indiferencës dhe arrogancës nga ana e organeve drejtuese, në të gjithë këto vite ekzistence të Urdhrit. Ata kundërshtojnë rritjen e tarifave dhe kuotizacioneve, pa u konsultuar më parë me Asamblenë dhe në mungesë të theksuar transparence:

“1.Mungesë transparence në vendimmarrje dhe publikim I vonuar i vendimeve.

2. Përgjigje të vonuara ndaj shqetësimeve, shpesh herë dhe akute, nga drejtues të UP megjithëse ka 2 juristë, sekretare, Sekretar të Pergjithshēm, punonjës administrate.

3. Moskonsultim paraprak me anetarët e Asamblesë kur teknologjia prej disa vitesh tashmë e thjeshtëson komunikimin.

4. Trajnime të kushtueshme, pagesa e të cilave është në disporporcion me rrogat që ne marrim.

5. Trajnimet e ofruara nga anëtare te Këshillit konfliktojnë interesat e tyre dhe kësisoj shkelin etikën e profesionit. Nëse anëtarët e Këshillit dëshirojnë të na transmetojnë dijen dhe përvojën e tyre mund ta bëjnë këtë pa pagesë.

6. Mungesë alternativash për të zgjedhur trajnimet sipas nevojave të fushës dhe trajnimet e bëra deri më tani nuk sfidojnë njohuritë e fushave përkatëse të psikologjisë.

7. Rritja e tarifave me mbi 30% kur nuk ka patur rritje te ardhurash financiare për të gjithë psikologët.

8. Keqmenaxhimi I Komisionit të Etikës duke marrë masa ekstreme administrative pa zbatuar hierarkinë përshkallëzuese të masave.

9. Mospërgjigje dhe heshtje kur kërkohen dokumenta zyrtare, mos arshivim për pasojë humbje e dokumentacionit, faturave e të tjerë. Ka dëshmi kur psikologëve ju është dashur të paguajnë dy herë tarifën e licensimit.

10. Inspektime të pa lajmëruara paraprakisht në vendin e punēs të psikologëve edhe pa patur shkak.

11. Konflikt interesi i anëtares së Këshillit Kombetar që bën dhe rolin e Sekretares së Pergjithshme.

12. Sorollatje të panevojshme. Gabime të formës dhe përmbajtjes në dokumentacion dhe mosmbajtje

përgjegjësie për to.Mungesë e etikës së komunikimit nga adminsitrata dhe drejtuesit e UP.

13. Mos promovimi i profesionit të psikologut, anëtarëve të Këshillit Kombëtar apo psikologëve të talentuar, në një moment kur ende stigmatizohet shëndeti mendor dhe shoqëria shqiptare ka tepër nevojë.

14. Dhënia e përvitshme e kartave të anëtarësisë sjell sorollatje dhe shpenzime të panevojshme. kur kartat mund te ndahen një herë në 5 vjet. Nuk është as ekologjike ;

15. Mos vendosje e marrdhënieve zyrtare me ASCK dhe institucioneve publike në mënyrë që të fuqizohet rrjeti I psikologëve nëpërmjet kualifikimeve.

16. Workshope, shkëmbime të ekpseriencave të psikologëve shkollor që përkthehen në kredite cuditërisht paguhen edhe kur këto zhvillohen brenda rrjetit profesional. Psikologët shkollorë në vitet e fundit janë shtrënguar të marrin vetëm trajnimet e përcaktuara nga drejtuesit e UP,që ka monopolizuar tregun e kualifikimeve pagesat e të cilave nuk janë në raport të drejtë me pagat tona.17. Nuk ka një përcaktim të qartë dhe korrekt të marrdhënies mes UP dhe praktikantëve, të cilët krahas kutizacionit paguajnë edhe siguracione. Drejtuesit e UP nuk kanë treguar angazhim konkret në ndërtimin e bashkëpunimit me institucione publike ku për praktikantēt të ofrohen intershipe dhe kjo t’u konvertohet në njohje praktike para licensimit.

18. Ne si psikologë jemi ballafaquar me qasje refuzuese nga drejtuesit e UP.

19. Trajtim jo korrekt e jo I përpiktë ndaj psikologëve p.sh. mos paraqitja e ekspertit të UP në një trajnim pasoi me përsëritjen e trajnimit duke shkaktuar humbje kohe e dëm financiar.

20. Psikologët ligjorë I paguajnë UP kuotën më të lartë nga të gjithë psikologët e tjerë, kuotë kjo e diferencuar. Komisjonerit kundër Diskriminimit me anë të një vendimi e ka quajtur këtë kuotë diskriminuese. Fenomen shqetësues tjetër është që psikologët ligjorë edhe pse kanë kryer trajnimet e nevojshme nuk thirren për të asistuar pranë gjykatave”.

Pjesëmarrësit paraqitën propozime për ndryshime në Statutin e Psikologut.

Në asamblenë e drejtuar nga Fotjon Dorre, Arjola Manreka dhe Osvalt Turmalaj u kërkua shkarkimi presidentes aktuale të Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska. Treska u zgjodh si presidente e parë e Urdhrit të Psikologut në 2017 nga Asambleja Themeluese. Ajo u rizgjodh në 2021 për një mandat tjetër 4-vjeçar.

Rreth një javë më parë një peticion i firmosur nga 216 psikologë në të gjithë vendin iu drejtua qeverisë kundër Presidentes së Urdhrit të Psikologut, me argumentin se institucioni po kryen trajnime dhe akreditime që nuk janë miratuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror. Sipas një prej firmëtarëve, Altin Nikës, trajnimet e kryera gjatë vitit të kaluar që kanë shkuar deri në 1500 euro, rezultojnë të pavlefshme ligjërisht.

Presidentja e Urdhrit të Psikologut Valbona Treska u kundërpërgjigj duke thënë: “Qëndrimi i zotit Nika është mashtrim, tjetërsim i vullnetit dhe besimit të psikologëve. Kërkesa e ardhur sot nga një grup psikologësh ka në thelb uljen e tarifave. Nesër do të ketë një kallëzim në prokurori, lidhur me këtë deklaratë të pavërtetë dhe mënyrën e mbledhjes së firmave të këtij grupi psikologësh”.