Mbledhja me dyer të mbyllura shkakton debate te TIMS-i/ Salianji përplaset me Gogun: Po pengoni hetimin

Ka nisur me debate mbledhja e Komisionit Hetimor për TIMS, aty ku është thirrur për të dëshmuar Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.

I pari që është marrë në pyetje është ministri Balla, dëshmia e të cilit po zhvillohet me dyer të mbyllura, çfarë ka sjellë dhe përplasje mes kryetarit të komisionit Ervin Salianji dhe anëtarit të mazhorancës, Toni Gogu.

Salianji është shprehur se dëshmia me dyer të mbyllura po pengon hetimin, ndërsa Gogu ka kundërshtuar duke thënë se dëshmia e Ballës duhet të bëhet me dyer të mbyllura pasi sipas tij i kanë bërë kërkesë Këshillit të Rregullores për një sërë çëhtjesh.

Pjesë nga debati:

Salianji: Është jetike, e domosdoshme për demokracinë që të ketë përballje të hapura, por për të mos bllokuar punën e komisionit kemi votuar që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura, por siç e citoj vendimin e ndërmjetëm, pa patur nevojë për t’u pajisur me certifikata sigurie të deputetëve. Duhet të kthejmë në ligjshmëri punën e komisionit. Jemi në kushte të reja dhe vendimmarrja e kaluar nuk ishte e mundur për shkak se ministri i Brendshëm pretendoi se kishte informacion të klasifikuar, të hedhim në votim dhe të kthejmë në vendim të ri të ndërmjetëm, mbledhja me dëshmitarin e parë Taulant Balla ministër i Brendshëm, nuk ka në këndvështrimin tim që të jemi njohur me ndonjë dokument të klasifikuar propozoj që mbledhja të jetë e hapur.

Toni Gogu: Dëshmia e Ballës duhet të zhvillohet me dyer të mbyllura. I kemi bërë kërkesë Këshillit të Rregullores për një sërë çështjesh. Filloni menjëherë nga dëgjimi i ministrit të Brendshëm, duke filluar në këtë mënyrë zyrtarisht hetimin dhe pa u zgjatur shumë në fjalë që populli i barazon me fukarallëk, me fukarallëk të këtij sistemi. Vazhdoni mbledhjen që kemi lënë përgjysmë me dyer të mbyllura.

Salianji: Kemi një vendimmarrje të re të ndërmjetme. Mbledhjet duhet të jenë të hapura për transparentë të plotë. Përballja dhe dhënia llogari të plotë. I kemi thirrur për të dhënë llogari. Çështja shqetëson qytetarët, partnerët. I keni bërë kërkesa Kuvendit, shpresoj të mos jenë truke për të penguar procesin, e dhimbshme që një parti politike doni të bojkotoni komisionin siç bëtë herën e kaluar. Kështu që kërkesat e mia si kryetar i komisionit me qejf do i ishin drejtuar komuniteteve fetare për t’ia mbajtur gjithsecilit mendjen në vend dhe lutje zotit që të jeni në këtë mbledhje më të qetë dhe të jeni në anën ligjit e moralit dhe jo të kundërt.