Mbledhja 2-ditore e qeverisë/ Rama: Sesionin e ri ta fillojmë me një impuls të ri do të ndryshojmë tërësisht Prokurimet Publike, E-albania do të transformohet brenda vitit
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka dhënë një prononcim për mediat pas mbledhjes 2-ditore të qeverisë në Tepelenë. Gjatë fjalës së tij, Rama është shprehur se kanë arritur të kenë disa rezultate të dobishme në mënyrë që sesionin e ri ta fillojnë me një impuls të ri, por edhe rritje të kapaciteteve të qeverisë.
Edi Rama: Besoj që kemi arritur disa rezultate të dobishme dhe kemi vendosur disa paketa në mënyrë që sesionin e ri ta fillojmë me një impuls të ri, por edhe me një rritje të kapaciteteve të qeverisë duke forcuar rolin dhe të zëvendësministrave dhe duke përfshirë në proces dhe të tjerë drejtues, ndërkohë që do të krijojmë një kanal të ri ndërveprimi me ekspertizën vendase dhe të huaj, por edhe me individë që kanë çfarë të na mësojnë. Ne gjithmonë kemi tendencën që t’i lidhim reformat me njerëz dhe persona, lirime, emërime, por vetëreformimi është shumë më i gjerë se kaq. Është një rikonceptim dhe një riorganizim i procesit qeverisë në funksion të rritjes së eficencës, së kapaciteteve për të arritur rezultatet më të shpejta dhe në funksion të momentit të rëndësishëm në të cilin ndodhet Shqipëria. Keni parë se si Shqipëria ka arritur të ketë numrin e turistëve për 1 mijë banorë sikurse Greqia. Imazhi i Shqipërisë në botë është i përmbysur tërësisht, ajo që ne shohim nga brenda është rritja e paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë e interesit të investitorëve të huaj. Këtu flasim për investitorë të mëdhenj në fushën e turizmit dhe teknologjisë të cilët deri disa vite më parë nuk do e konsideronin mundësinë për investime. Të bëjmë një kapërcim tjetër vetë të kuptojmë se çfarë sfidash të reja sjell ky ndryshim që po ndodh para syve tanë dhe të kuptojmë sa shumë gjëra duhet t’i vëjmë në dispozicion këtij ndryshimi për ta çuar Shqipërinë në majë.
Rama foli se me ministrate kanë diskutuar për një sërë temash dhe sfidash, me të cilat duhet të përballet Shqipëria në funksion të së ardhmes.
“Rritja e interesit të investitorëve të huaj dhe tani nuk flasim pvetëm për projekte të fokusuar në sektorin e energjisë, por këtu flasim për investitor të mëdhenj në turizëm, në fushën e teknologjinë, të cilët deri pak vite më parë nuk do ta konsideronin fare Shqipërinë për të zgjeruar biznesin e tyre”, tha Rama.
Shefi i qeverisë tha se një tjetër sfidë e madhe për Shqipërinë është rritja e cilësisë së krahut të punës. Ai u ndal edhe tek forcimi i monedhës kombëtare, ndërsa theksoi se ky trend forcimi është një sukses.
Edi Rama: Sfida kryesore është rritja e cilësisë së krahut të punës. Shqipëria nuk mund të konkurrojë më me krahun e lirë të punës. Një lekë i fortë në këtë moment dhe në këtë kohë është sukses, kur një lekë i dobët do na kishte sjellë një dhimbje koke, por nga ana tjetër duhet kuptuar se është një alarm për sektorin fason ku nuk mund të vazhdohet më duke përsëritur të njëjtën gjë dhe duke pritur rezultate ndryshe. Reformë tjetër në arsim, për të thelluar më tutje një proces, ku ne nuk mund të mos jemi të përgatitur përballë kësaj kohe të re, lëvizjet demografike, rënie të lindshmërisë, ndryshime që ndodhin edhe vetë brenda teknologjisë.
Më tej, Rama tha se edhe platforma e-albania po i nënshtrohet ndryshimeve dhe do të sjellë risi në shërbimin e qytetarëve.
Edi Rama: E-Albania nuk do të jetë më thjesht me zë dhe shkrim, por do të marrësh me faceup, ku do të orientoheni duke ju thënë ku do të klikoni. Këtë proces do ta shtrijmë në çdo sektor, dhe në drejtësi. Kjo do të ndihmojë sistemin e drejtësisë dhe rritjen e transparencës. Janë shumë gjëra duke u gatuar, por këto kërkojnë njeriun, forcën njerëzore.