Mbi 90 të helmuar në Bulqizë, del analiza: Uji i konsumueshëm! Mjeku: Dyshojmë se është virozë

BULQIZË- Nga e shtuna e deri të hënën në mesditë mbi 90 qytetarë të qytetit të Bulqizës dhe fshatrave përreth janë paraqitur për ndihmë mjekësore në urgjencën e spitalit të Bulqizës. Mjekët thonë se pacientët kanë të gjithë shenja helmimi, me dhimbje barku, të vjella, dhimbje koke dhe temperaturë.

‘Bark e të vjella temperaturë, morëm mjekim. Më mirë jemi tani.’- u shpreh një qytetare.

Dyshimet e para ishin se shkak i helmimit mund të ishte uji i çezmës, të cilin banorët e konsumojnë si ujë të pijshëm. Por, sipas analizës ujit që është bërë nga Shërbimi i Epidemiologjisë në Bulqizë ka rezultuar se uji nuk është e kontaminuar dhe mund të konsumohet.

Mjeku i spitalit të Bulqizës Shahin Kaja nuk përjashton as virozat e stinës.

Nuk kanë lidhje me ujin, përjashtohet kjo mundësi. Shkaku lë të kuptosh që është një shkak viral. Nuk ka pasur raste festive, por janë raste sporadike të veçanta në zona të veçanta. Deri tani jam ke rasti i nëntë. Nuk dihet shkaku, por vetëm nga uji jo. Kjo pasi kemi të bëjmë me ujësjellës të ndryshëm dhe zona të ndryshme.’– u shpreh mjeku.

Komisariati i Policisë Bulqizë tha se është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të helmimit. Ndërsa Njësia e Kujdesit Shëndetësor mori kampion uji në disa pika të qytetit dhe pritet përgjigja e analizave nga laboratori ISHP-së në Tiranë.

Një situatë e tillë është e përsëritur në Bashkinë e Bulqizës pasi banorët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në raste të mëparshme për shkak të helmimit nga uji. Kujtojmë se në verën e 2023-shit mbi 60 familjarë u paraqitën në qendrën shëndetësore të Gjoricës. Në janar të 2021 u helmuan nga uji i pijshëm 30 persona të cilët u kuruan në qendrën shëndetësore të Shupenzës.