Mbi 75 minuta bisedë/ Trump dhe Putin diskutojnë për luftën në Ukrainë, Iran dhe tensionet bërthamore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump njoftoi se ka zhvilluar një telefonatë të gjatë me Presidentin e rus, Vladimir Putin.

Biseda, e cila zgjati rreth një orë e 15 minuta, u fokusua kryesisht në tensionet e fundit mes Rusisë dhe Ukrainës, si dhe në zhvillimet shqetësuese në lidhje me programin bërthamor të Iranit.

Sipas deklaratës së Presidentit amerikan, diskutimi u përqendrua në sulmin e fundit të Ukrainës ndaj aeroplanëve rusë të ankoruar, si dhe përplasjet e tjera të ndodhura midis dy palëve. Ai e cilësoi telefonatën si një “bisedë të mirë”, por theksoi se ajo “nuk do të çojë në paqe të menjëhershme”.

Presidenti Putin, në mënyrë të vendosur, ka deklaruar se Rusia do të përgjigjet ndaj sulmeve të fundit në aeroportet e saj. Në këtë kuadër, biseda ka përfshirë edhe shqetësimet mbi përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit.

Temë tjetër e rëndësishme e diskutimit ishte Irani dhe programi i tij bërthamor.

Presidenti amerikan përfundoi deklaratën e tij duke theksuar se koha po mbaron dhe se një vendim përfundimtar nga Irani në lidhje me armët bërthamore duhet të merret shumë shpejt.

Sapo mbarova së foluri në telefon me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Telefonata zgjati afërsisht një orë e 15 minuta. Diskutuam sulmin ndaj aeroplanëve të ankoruar të Rusisë nga Ukraina, si dhe sulme të tjera të ndryshme që kanë ndodhur nga të dyja palët. Ishte një bisedë e mirë, por jo një bisedë që do të çojë në paqe të menjëhershme. Presidenti Putin tha, dhe shumë fuqishëm, se do të duhet t’i përgjigjet sulmit të fundit ndaj aeroporteve. Diskutuam gjithashtu për Iranin dhe faktin se koha po mbaron për vendimin e Iranit në lidhje me armët bërthamore, i cili duhet të merret shpejt! I thashë Presidentit Putin se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore dhe, për këtë, besoj se ishim dakord. Presidenti Putin sugjeroi që ai do të marrë pjesë në diskutimet me Iranin dhe se ndoshta mund të jetë i dobishëm në arritjen e një përfundimi të shpejtë. Mendimi im është se Irani e ka ngadalësuar vendimin e tij për këtë çështje shumë të rëndësishme dhe do të na duhet një përgjigje përfundimtare në një periudhë shumë të shkurtër kohore!” shkruan Trump.

Kjo telefonatë vjen në një moment tensioni të lartë global dhe mund të jetë një përpjekje për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të krizave ndërkombëtare.