Mbi 160 mijë zgjedhës shqiptarë janë regjistruar në aplikacionin PER të KQZ-së për të marrë pjesë në votimet e 11 majit.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve , Ilirjan Celibashi, bëri thirrje që emigrantët të regjistrohen dhe të dërgojnë kërkesën për të qenë votues brenda afatit të fundit, që është 4 marsi.
Për ata që janë refuzuar, KQZ ka sqaruar se mund të riaplikojnë, duke ndjekur udhëzimet e dërguara në llogaritë e tyre në aplikacionin PER.
“Përpara se të riaplikoni duhet të: Lexoni me kujdes arsyen e refuzimit të kërkesës, të cilën e gjeni në llogarinë tuaj në PER. Klikoni linkun që është në përmbajtjen e mesazhit të dërguar nga KQZ në telefonin tuaj apo në adresën e-mail. Nëpërmjet këtij linku do të merrni ndihmë direkt nga KQZ”, shkruan Celibashi në një postim në rrjetet sociale.