“Mbi 150 ankesa nga votuesit e diasporës për operatorin”, Celibashi: Në fund të procesit vendosim shpërblimin për DHL në varësi të shërbimit
- 6 May, 2025
Pesë ditë përpara zgjedhjeve të 11 majit, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një dalje për mediat, ka sqaruar situatën problematike që është krijuar me dërgimin e fletëve të votimit për qytetarët shqiptarë që votojnë nga jashtë vendit.
Celibashi konfirmoi se KQZ ka marrë 156 ankesa nga votues të diasporës, të cilat kanë të bëjnë me mangësi në shërbimin e ofruar nga kompania postare DHL, e kontraktuar për shpërndarjen e fletëve të votimit. Në 90 raste, është raportuar se zarfi është lënë në derë apo në kutinë postare pa asnjë njoftim. Në 21 raste të tjera, DHL ka refuzuar të marrë zarfin e plotësuar për rikthim.
Në total, 9 qytetarë janë ankuar për mungesë të fletës së votimit në dokumentacionin zgjedhor, ndërsa në 8 prej këtyre rasteve, KQZ ka ndërhyrë për ridërgim. Gjithashtu, 4 votues thonë se nuk janë njoftuar për dorëzimin e zarfit dhe 3 të tjerë deklarojnë se nuk kanë marrë ende asgjë.
Kreu i KQZ-së theksoi se vlerësimi për performancën e DHL do të bëhet vetëm pas përfundimit të procesit zgjedhor.
“Kur të mbarojë kontrata, do të ulemi me DHL dhe do të shikojmë se sa dhe si e ka përmbushur këtë shërbim. Është herët për të dhënë verdikte”, tha Celibashi, duke shtuar se çdo qytetar ka të drejtën të raportojë çdo problem në KQZ dhe rastet janë duke u ndjekur në mënyrë institucionale.
Regjistrohu në buletinin tonë informativ