Mbi 100 banorë në Bulqizës nga disa fshatra e lagje të ndryshme të qytetit, përfshirë edhe fëmijë, janë paraqitur në spitalin e qytetit me simptoma helmimi për të marrë shërbim shëndetësor këto 3 ditët e fundit. Pacientët kanë pasur temperaturë, ethe e të vjella. Shkaku mbetet ende i paqartë deri në daljen e analizave të ujit të pijshëm.
Prefekti i qarkut Nexhbedin Shehu tha se ka një fluks të shtuar të qytetarëve të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa shtoi se institucionet po kryejnë veprimet e nevojshme për të gjetur shkakun e paraqitjes së një numri kaq të lartë qytetarësh në urgjencën e spitalit ditët e fundit. Shehu ka këshilluar qytetarët të përdorin ujë të blerë ose të ziejnë ujin, deri në daljen e një analize të thelluar që po i bëhet ujit të pijshëm, analizë e cila pëson analizën e pare e cila ka dalë në rregull.
“Nga e shtuna ka fluks të shtuar e njerëzve të cilët paraqiten me simptoma diarreje dhe të vjella. Shenjat janë të lehta sipas mjekëve, bëjnë një serum dhe më pas largohen. Numri i personave që kanë kërkuar ndihmën mjekësore ka shkuar mbi 90 persona. Analizat të cilat iu bënë ujit kanë dalë mirë. Megjithatë ka përhapje përtej Bulqizës. Është në hetim e ende po presim përgjigjen e një analize të thelluar. Gjej rast ti bëj thirrje popullatës të bëjnë kujdes, ta ziejnë ujin apo të përdorin ujë të blerë deri në daljen e përgjigjes së analizës. Del mbrëmjen e sotme”, u shpreh ai.