Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama sa i takon fakteve të bëra publike për transportin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Kinës dhe Tajlandës.
Në kërkesën që mban firmën e Gazment Bardhit theksohet se, rastet e përsëritura të konstatuara të eksportit të mbetjeve toksike ngrenë dyshime serioze se, Shqipëria është përfshirë në një tregti të paligjshme ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme.
Sipas demokratëve, qeveria dhe autoritetet përgjegjëse po heshtin prej 3 javësh dhe nuk veprojnë duke mos bërë asnjë transparencë mbi këtë çështje, ndërkohë që skandali ka marrë përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare.
Teksa kërkojnë që Kryeministri të informojë kuvendin, opozita thotë se, Kompania “Kurum International” sh.a. ka shkelur ligjin për mënyrën e përpunimit të mbetjeve të rrezikshme që prodhon, ndërkohë që kompania “Sokolaj” sh.p.k. ka shkelur ligjin lidhur me transportin e mbetjeve toksike të rrezikshme.