Mbetjet “pushtojnë” plazhin e Adriatikut
Pak kohë na ndajnë nga hapja e sezonit turistik dhe frekuentimi i plazhit nga pushuesit.
Shpesh është folur për turizmin bregdetar të vendit tonë, ndërsa e kundërta ndodh në bregdetin e Gotullës në fshatin Adriatik.
Në një vijë bregdetare prej 6 km, dikur e pasur me rërë të pastër, tani e shndërruar në gjendje të mjerueshme. Në tërë gjatësinë e vijës së këtij bregdeti shoqërohen mbetjet urbane të cilat i sjellin derdhjet e dy lumenjëve Ishëm dhe Drojë, duke sjellë papastërtitë që vijnë nga lumi i Lanës dhe Zezë në Fushë Krujë, duke ndotur rërën dhe zonën përreth, gjë që nuk premton për zhvillimin e turizmit dhe sjelljen e pushuesve në këtë bregdet.
Në këtë plazh, ku dhe ne jemi fokusuar për të mundur sensibilizimin ndaj gjendjes mjerane, ndodhen disa peshkatarë që nuk i kanë braktisur profesionin e tyre, por shprehen se çdo ditë dhe më shumë janë të zhgënjyer nga kjo situatë dhe moskujdesja e strukturave për rehabilitimin e kësaj zone të virgjër. Nëse do të parandalohej hedhja e mbetjeve, sidomos në lumin e Ishmit ku mbetjet vijnë nga Tirana, atëherë kjo zonë do të rikthehej në identitet dhe do të sillte një mori turistësh vendas dhe të huaj.
Kjo zonë ka një natyrë të mrekullueshme, e shoqëruar edhe nga ajri i pastër, një brez pyjor dhe shumllojshmërinë e bimëve të tjera, që mund të japin prioritetin e munguar për këtë zonë.
Edhe ato pak peshkatarë që janë marrë me këtë profesion për shumë vite thonë se kjo ndotje po largon edhe gjuetinë e peshkut.
Biologu i njohur, Dr. Prof. Idriz Haxhiu, ishte i vetmi që ka denoncuar ndotjen e madhe, një ndotje që po zhduk gjallesat detare dhe biodiversitetin. Këtu nuk ka asnjë funksion nga Ministria e Mjedisit, që nuk e njeh zonën, por edhe ata që e njohin, bëjnë sehir ndaj kësaj situate mjaft kritike.
Nëse do të investohej në pastrimin dhe parandalimin e mbetjeve urbane, turizmi do të funksiononte në këtë bregdet, dhe Gotulla do të rikthehej në një zonë mjaft të preferuar për pushime në sezonin veror, duke zhvilluar më së shumti turizmin në Plazhin e Gotullës, por duke parandaluar edhe derdhjen e mbetjeve në lumin e Ishmit, që ka shkaktuar këtë ndotje ekologjike dhe ka dëmtuar ekosistemin.
Në këtë sezon turistik që pritet të fillojë, Gotulla, dikur e famshme, nuk po e ndryshon panoramën e dhimbshme nga kjo katastrofë e mbetjeve urbane.