Mbeti i vrarë në atentat, “Në Shënjestër” zbardh vendimin e diskutueshëm për Martin Bardhin


Por ndërsa pritej që Erind Bardhi dhe babai i tij Martin Bardhi të përgjigjeshin përpara drejtësisë për atentatin e dështuar ndaj Saimir Reçit, një vendim fort i diskutueshëm Gjykatës së Lezhës, la në liri në muajin korrik të vitit 2023, Martin Bardhin. 58-vjeçari, solli në gjykatë, prova filmike, që sipas tij vërtetonin alibinë se në momentin e atentatit ndaj Saimir Reçit, në muajin mars, ai ndodhej në një vend tjetër, të ndryshëm nga ai i krimit. Ai po kështu paraqiti para gjykatës edhe disa dëshmitarë që sipas tij konfirmonin thëniet e tij, se në momentin e sulmit me armë ndaj Saimir Reçit, ai ishte i shoqëruar me këta persona, në një vend tjetër.

Nisur nga këto prova, me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Lezhës, siç zbulon emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, vendosi të ndryshojë masën e sigurisë të vendosur ndaj Martin Bardhit nga ‘arrest me burg’ në ‘detyrim paraqitje’. Ndërsa djali i tij Erind Bardhi, ishte ende në kërkim nga policia, në akuzën për ‘Vrasje me paramendim’ të mbetur në tentativë si dhe ‘Mbajtja pa leje të armëve të zjarrit’. Por edhe pse kishte dy muaj që kishte fituar lirinë, Martin Bardhi thuhet se nuk dilte shpesh në qytet. Ai shihej rrallë në qarkullim. Ndërsa vetëm ditët e fundit, para se të binte pre e atentatit, kishte filluar ti shpeshtonte vizitat në lokalin e tij. Gjë që mesa duket e kishin vënë re edhe armiqtë e tij, të cilët kishin kohë që prisnin çastin e duhur për t’u hakmarrë ndaj tij.

Mundësi që u erdhi në shteg atë mëngjes të datës 27 shtator, kur Martin Bardhi la sërish banesën, për të vizituar lokalin e tij në qendër të Rrëshenit. Ashtu siç pritej, policia i ushtroi kontrollet e para në banesat e famuljes Reçi në Rrëshen, kjo për shkak edhe të konfliktit të hapur që kjo familje kishte me atë të Martin Bardhit, pas atentatit të ndodhur në muajin mars ndaj Saimir Reçit.