Mbeti i plagosur në vrasjen e Martin Canit, Luis Meçe niset për kurim në Itali

Luis Meçe , 14-vjeçari i cili ngeli i plagosur gjatë sherrit, ku humbi jetën shoku i tij Martin Cani, është nisur sot në orën 6:00 për kurim në Bari të Italisë. I mituri ka marrë katër goditje me thikë në stomak, në shpinë dhe në mushkëri.

Përmes një Gofoundme, Luisi ka arritur të mbledhë shumën prej 80 mijë eurosh. Bëhet me dije se i mituri është nisur sot drejt Bari, Itali për të marrë një kurim më të specializuar.

Adoleshentët Martin Cani dhe Mario Prelleshi ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit.

Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr ku edhe u përleshën me thika. Autori vrau 14-vjeçarin dhe plagosi shokun e ngushtë të viktimës, Luis Meçen.

Gjatë marrjes në pyetje për shkakun e sherrit, autori është shprehur se përplasja kishte nisur për një “pse më shikon?”, por në asnjë moment nuk ka shprehur pendesë. Që nga dita e ngjarjes deri më sot, i mituri ishte në spital, por sot është nisur për në Kavajë, në institucionin e vuajtjes së dënimit për të miturit.