Mbetën të plagosur nga atentati në Don Bosko, zbardhet dëshmia e dy të lënduarve/ S’kemi konflikte, gjithçka ndodhi shumë shpejt ishim duke pirë kafe, nuk i njohim autorët

Detaje të reja nga atentati i pasdites së të martës në Don Bosko. Dy të plagosurit Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi, janë marrë në pyetje nga grupi hetimor. Në dëshminë e tyre, të dy kanë mohuar të kenë pasur konflite me persona të tjerë gjatë kohëve të fundit dhe nuk kanë arritur të identifikojnë autorët.

Grupi hetimor ka dyshime se objektiv i sulmit të ketë qenë Elezaj për konflikte që mund të ketë pasur përgjatë kësaj periudhe me persona të tjerë.

Grupi hetimor nuk përjashton mundësinë që atentatit të jetë kryer për shkak të së shkuarës kriminale, pasi më herët ka qenë i dënuar për prostitucion. Asnjëri prej të plagosurve nuk ruhej dhe nuk kishte frikën e një atentati të mudshëm.

Sipas dëshmisë së tyre, lëvizjet nëpër Tiranë i kishin normale dhe të përditshme. Arma e krimit, e gjetur në makinën e djegur Golf 5 është e njëjta që është qëlluar në atantat, pistoletë e kalibrit të ulët, 7.65 mm.

Të dy, nuk i përkasin ndonjë grupi kriminal dhe në këtë mënyrë pistat e hetimit janë më të paqarta. Hetuesit po verifikojnë zënka ose debate të së shkuarës të Elezajt, të cilat mund të jenë bërë shkak për ngjarjen.

Dëshmia e të plagosurëve:

Kastriot Elezaj: E kisha lënë për të pirë kafe me Renaldo Metushin dhe u ulëm në verandën e lokalit. Ne pimë kafe çdo ditë në të njëjtin lokal sepse jemi të papunë. Unë nuk kam parë kush me ka qëlluar dhe nuk e di kush ka dashur të më vrasë. Nuk kam asnjë konflikt me njeri dhe nuk i ruhem askujt. Lëviz lirshëm rrugëve dhe në kafe rri i pa shqetësuar.

Renaldo Metushi: Po pija kafe me Kastriot Elezajn dhe pimë kafe bashkë çdo ditë. Unë jam i papunë. Tek lokali kam punuar disa kohë më parë si kamarier dhe ata çunat i njoh. Ngjarja ndodhi shumë shpejt dhe nuk i pashë autorët. Pasi pushuan të shtënat kuptova se isha qëlluar në këmbë.