Mbërrijnë në Tiranë edhe 3200 vota të tjera nga diaspora, të vulosura dhe të transportuara me masa të rrepta sigurie

Një tjetër ngarkesë me rreth 3200 vota të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit ka mbërritur këtë të enjte në Tiranë. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve shqiptare, emigrantët kanë mundësinë të votojnë nga vendi ku banojnë, përmes regjistrimit paraprak në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Zarfat që përmbajnë votat janë transportuar në thasë të zinj, të siguruar në mënyrë të veçantë nga KQZ-ja, dhe janë futur brenda furgonëve të një kompanie private postare. Dyert e automjeteve janë vulosur dhe të gjithë procesi është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie.

Pas mbërritjes në Tiranë, kutitë janë dërguar në Parkun Olimpik ku do të bëhet procesimi dhe numërimi i votave, një proces i ndjekur nga përfaqësues të partive politike, si dhe monitorues të pavarur.