Mbape i “fundos” pesë policë francezë, dyshohet për pagesa të paligjshme!

Pesë policë francezë janë vënë nën hetim administrativ pas dyshimeve se kanë marrë shuma të konsiderueshme parash nga Kylian Mbappé, ylli i kombëtares së Francës dhe një nga futbollistët më të njohur në botë.

Lajmi u publikua nga javorja investigative franceze “Le Canard Enchainé”, sipas së cilës hetimi është nisur nga kontrolli i brendshëm i policisë franceze pas informacioneve për një pagesë totale prej 180,300 eurosh në vitin 2023.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Tracfin, agjencia franceze kundër pastrimit të parave, katër oficerë policie kanë marrë nga 30,000 euro secili, ndërsa komandanti i tyre ka përfituar 60,300 euro.

Mbappé, në një deklaratë me shkrim që ka pasur në dorë e përjavshmja franceze, ka sqaruar se pagesat ishin dhurata vullnetare nga shpërblimi i Kupës së Botës “për anëtarët e ekipit të sigurisë dhe për shoqata të ndryshme”. Ai theksoi se ishte konsultuar me avokatin e tij të taksave, i cili kishte konfirmuar se nuk kërkohet deklarim për këto lloj dhuratash.

Mbappé ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me hetimin, duke theksuar se nuk ka asgjë për të fshehur.

Pavarësisht deklaratës së Mbappés, kontrolli i brendshëm i policisë po shqyrton nëse këto pagesa ishin realisht dhurata, apo pagesa të kamufluara për shërbime private sigurie, çka do të përbënte shkelje të rregullave të etikës së forcave të rendit.

Komandanti i policisë, që mori shumën më të madhe, është veçanërisht në fokusin e hetimeve. Ai është filmua në disa udhëtime private me Mbappén në Kamerun dhe Vaucluse gjatë verës së vitit 2023, gjë që për autoritetet përbën konflikt interesi dhe mungesë të integritetit në detyrë.