Mbante peng dhe dhunonte partneren italiane në Fier, arrestohet 27-vjeçari gjatë tentativës për t’u arratisur

Një rast i rëndë i dhunës në familje dhe mbajtjes peng të një shtetaseje të huaj është zbuluar dhe neutralizuar nga policia në Fier. Një 27-vjeçar me precedent të mëparshëm penal është arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Fast Reaction”, pasi mbante pa dëshirën e saj dhe dhunonte bashkëjetuesen e tij italiane në banesën e tij në fshatin Cakran.

I riu, i identifikuar me inicialet A. I., u kap në momentin që po tentonte të largohej nga zona me një automjet të marrë me qira. Arrestimi u bë pas një operacioni të koordinuar mes Policisë së Fierit, Forcës së Posaçme Operacionale dhe Zyrës së Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës italiane në Tiranë, pasi autoritetet italiane kishin dhënë alarmin për rastin.

Sipas hetimeve, 27-vjeçari, i njohur më parë për raste të dhunës në familje dhe vjedhje, kishte mbajtur për disa ditë pa dëshirën e saj parteneren e huaj dhe ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj saj.

Fatmirësisht, si pasojë e ndërhyrjes së shpejtë, e reja u shpëtua dhe iu dorëzua autoriteteve të Konsullatës së Italisë në Shqipëri. Mësohet se ajo është në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, ndaj 27-vjeçarit janë ngritur akuza për mbajtje peng dhe dhunë në familje.