Mbante granata dhe municion luftarak, shpallet në kërkim 50-vjeçari në Tiranë
Policia Tiranës ka shpallur në kërkim një 50-vjeçar, pasi gjatë kontrolleve në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak, granata, krehra kallashnikovi dhe pistoletë.
Lajmin e bëri të ditur Policia përmes një njoftimi, ku thuhet se vijon punë për kapjen e këtij shtetasi, ndërkohë që materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, angazhim maksimal në kuadër të operacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve që i posedojnë ato.
Sekuestrohen granata, krehra pistolete dhe kallashnikovi, municion luftarak, pistoletë dhe një kapuç si maskë.
Shpallet në kërkim 50-vjeçari që i mbante ato në banesë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacionit të marrë se në fshatin Vilëz, një shtetas mbante armë shpërthyese dhe sende të tjera të paligjshme, në banesë, kanë organizuar punën në kuadër të operacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit D. V., 50 vjeç, banues në fshatin Vilëz, Zall Bastar.
Gjatë kontrollit në banesën e 50-vjeçarit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, katër granata, krehra pistolete, krehra kallashnikovi dhe municion luftarak, që dyshohet se i posedonte ky shtetas.
Vijon puna për kapjen e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.