Mbanin drogë dhe armë brenda apartamentit me qera, 5 të arrestuar në Shkodër


Pesë persona kanë rënë në prangat e policisë së Shkodrës për drogë dhe armëmbajtje pa leje. Policia njofton se 5 të arrestuarit kishin marrë një apartament me qira dhe e kishin përshtatur për përpunim, përdorim dhe shitje kokaine. Gjithashtu brenda apartamentit mbanin edhe armë zjarri pa leje.

Të arrestuarit janë të moshave 44, 31, 36, 51 dhe 17 vjeç, banues në Shkodër. Në apartament u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, 1 krehër pistoletë, 160 gr kokainë e ndarë në doza gati për shitje, 6 çelësa banesash, 2 automjete, 10 celularë, 1220 euro, 184 900 lekë dhe një shumë parash në paund.

Policia vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë grup kriminal.