Mbajti nipin për një javë, arrestohet gjyshja e 3-vjeçarit. Zbardhet dëshmia: Donim ta rrisnim vetë
Policia ka arrestuar gjyshen e 3-vjeçarit, e cila e rrëmbeu dhe e mbajti të fshehur për një javë këtë të fundit.
Bahrije Gjuni është personi i tretë i arrestuar në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa në dëshmi është shprehur se kanë marrë nipin sepse kanë dashur ta rrisin vetë.
‘E kemi vendosur sëbashku me bashkëshortin tim Rexhepin ta merrnin nipin e ta rrisnim vetë sepse ai është djali i djalit tonë.
Në këtë mënyrë të shtunën që shkoi e morëm dhe unë u largova nga shtëpia dhe u nisa për në fshatin tim në Gjinaj të Krumës te prindërit e mi. Atje kam fjetur një natë.
Ditën tjetër kam shkuar te Vendi i Mirë në fshatin Buzmadh të Kukësit.
Në Buzmadh kam fjetur një natë.
Ditën e tretë kam shkuar në Kukës te një kushërira ime ku kam fjetur një natë.
Pastaj kam shkuar në Tiranë ku kam fjetur në 4 hotele të ndryshme.
Vendosa ta dorëzoj nipin për shkak të ndjekjes së policisë, por edhe se një vëlla i imi u arrestua e një tjetër është shpallur në kërkim pasi ata nuk kanë gisht në këtë çështje’, ka deklaruar gjyshja, Bahrije Gjuni për policinë.