“Mbaj përgjegjësi për vizitën në Moskë”/ Vuçiç në Tiranë: Rizgjohet besimi në Serbi për të ardhmen evropiane pas takimit me krerët e BE
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i pyetur nga mediat pas mbërritjes në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik Europian, u shpreh se e kishte parashikuar sulmet ndaj tij pas vizitës në Moskë, por shtoi se do të marrë përgjegjësi për gjithçka, në mënyrë që Serbia të mos paguajë për pasojat.
“Besoj se mund të përparojmë në rrugën evropiane. Ka ndryshuar situata gjeopolitike krahasuar me vitin 2022 dhe tani shpresojmë që gjithçka të ecë më shpejt dhe më fuqishëm. Amerika dhe Evropa do të përpiqen të harmonizohen aty ku mundin, duke na dhënë kështu një mundësi shtesë për të përparuar në BE,” tha Vuçiç, duke theksuar se e presin takime të rëndësishme me Presidentin e Parlamentit Evropian Antonio Costa, Ursula von der Leyen dhe Donald Tusk.
Ai u shpreh i kënaqur me bisedimet që zgjatën tre orë dhe tha se shpresa dhe besimi në të ardhmen evropiane të Serbisë janë rizgjuar.
I pyetur për thirrjet për zgjedhje të parakohshme dhe radikalizimin e protestave në vend, Vuçiç tha se nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare për këtë dhe vuri në dukje se po përballet me sulme politike. “Pas gjithçkaje qëndron një revolucion me ngjyra dhe politika e papërgjegjshme që tenton të dobësojë institucionet,” tha ai.
Presidenti Vuçiç njoftoi se zgjedhjet do të mbahen brenda një viti e gjysmë dhe i ftoi qytetarët të marrin pjesë në një tubim të madh në Nish.