Mbahet sot seanca gjyqësore për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe personat e tjerë për të cilën SPAK dha masë sigurie. Në këtë seancë, e cila ishte parashikuar që të mbahej dje, do të bëhet rivlerësimi i masave të sigurisë, 3 me arrest me burg dhe dy arrest shtëpie. Përveç Beqajt u arrestuan dhe Ermal Kurtulaj, krahu i tij i djathtë dhe Alfred Nikolla. Sakaq, pritet që sot në GJKKO të mbahet një seancë e gjatë maratonë.
Beqaj u arrestua lidhur me shpërdorimin e fondeve të BE-së, përmes agjencisë Saspak, të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e drejtonte, edhe pse më parë ndaj tij, SPAK kishte nisur hetimet lidhur me koncesionet në shëndetësi. Prokuroria e Posaçme përmes një deklarate sqaroi se nga hetimet rezultoi se kur drejtonte Agjencinë SASPAC, ka ngritur skemë përfitimi me fatura dhe procedura prokurimi fiktive, duke zhvatur fondet e BE (Programi IPA II).
SPAK thekson se fondet për aktivitetet e agjencisë SASPAC shkonin te fituesit e paracaktuar sipas urdhrave dhe direktivave që jepte Beqaj. Në funksion të kësaj skeme, thekson SPAK, Beqaj ka bashkëpunuar me Ermal Kurtulaj, financieri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i tij. Sipas SPAK, restoranti “Gzona’ brenda në Kalanë e Tiranës ndonëse ka për administrator një person tjetër, është pronë e fshehur e Beqajt. SPAK thekson se Beqaj ka investuar te restorant “Gzona” prej vitit 2019 shumat 21 411 euro dhe 4 666 110 lekë të reja për blerjen e pajisjeve dhe 34 783 euro si shpenzime qiraje.