Mbahen zgjedhjet në Serbi/ Shqiptarët hyjnë të përçarë, në dy lista

Serbia zhvillon këtë të dielë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore. Të drejtë vote kanë rreth 6.5 milionë banorë, të cilët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre prej orës 07:00 deri në 20:00.

Të hapura do të jenë 8.273 qendra votimi. Ekziston rreziku që shqiptarët të mos arrijnë të marrin asnjë deputet, kjo për shkak të ndarjes me dy lista.

Liderët politikë nga Shqipëria dhe Kosova kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të shqiptarëve në zgjedhjet e të dielës në Serbi.

Shqiptarët në zgjedhjet parlamentare serbe shkojnë të ndarë, me dy lista zgjedhore, ajo e Shqipërim Arifit dhe Shaip Kamberit.

“Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” udhëhiqet nga Shaip Kamberi, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”, nga Shqipërim Arifi.

Këto janë zgjedhjet e pesta që organizohen në Serbi prej vitit 2012, dhe mbahen vetëm 18 muaj pas organizimit të procesit të fundit zgjedhor.