“Mayday… po humbasim fuqinë”, thirrja e fundit e pilotit të Air India para tragjedisë së përgjakshme në Ahmedabad

Një tragjedi ajrore e përmasave të tmerrshme ka tronditur Indinë dhe gjithë botën, pasi një avion pasagjerësh i kompanisë Air India u rrëzua vetëm sekonda pas ngritjes nga aeroporti ndërkombëtar i Ahmedabadit, duke shkaktuar një bilanc dramatik prej 241 të vdekur nga 242 persona në bord.

Pak çaste para përplasjes fatale, kapiteni Sumeet Sabharwal, një pilot me mbi 8,200 orë fluturimi, lëshoi një thirrje dramatike emergjente në radio: “Mayday… pa shtytje, po humbasim fuqinë, të paaftë për ngritje”. Ky ishte sinjali i fundit që dëgjuan kullat e kontrollit para se Boeing 787-8 Dreamliner, i ngarkuar me rreth 90 ton karburant, të përplasej në një zonë të banuar vetëm 1.5 milje larg pistës.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë skena apokaliptike: rrënoja të avionit të përfshira nga flakët, trupa të pajetë të pasagjerëve dhe banorëve të zonës të shpërndarë mes tymit dhe zjarrtë. Një nga mrekullitë e kësaj tragjedie ishte mbijetesa e një britaniku, Viswashkumar Ramesh, i cili arriti të largohej mes rrënojave dhe trupave të djegur, i vetëm dhe në gjendje shoku.

Përplasja fatale shkatërroi edhe mensën e Kolegjit Mjekësor BJ, ku ndodheshin dhjetëra studentë dhe mjekë. Sipas autoriteteve lokale, rreth 50 viktima janë identifikuar deri tani nga banorët e zonës.

Hetimet për shkaqet e tragjedisë kanë nisur me intensitet të lartë, ndërsa ekipet kërkimore vijojnë të gërmojnë për kutinë e dytë të zezë. Ekspertët e aviacionit kanë ngritur dyshime të forta për probleme me flapsat e krahëve. Pamjet video tregojnë se ato nuk dukeshin të vendosura siç duhet, gjë që, sipas analistëve, mund të ketë ndikuar fatalisht në paaftësinë e avionit për të fituar lartësi.

Ish-piloti dhe autori i librit Pse rrëzohen avionët, Terry Tozer, deklaroi për mediat: “Ky mund të jetë një nga shpjegimet më të arsyeshme për një avion që është projektuar të përballojë kushte ekstreme, por që fundoset kështu menjëherë pas ngritjes”.

Ndërkohë, nuk përjashtohen as hipoteza të tjera. Disa ekspertë përmendin mundësinë e goditjes së zogjve në motorë, por mungesa e flakëve dhe tymit në pamjet filmike ka lënë dyshime, pasi në raste të tilla zakonisht ka shenja të qarta të zjarrit.

Avioni kishte kaluar kontrollet e fundit teknike në mars dhe kishte marrë lejen e plotë për fluturim. Por pas kësaj katastrofe që ka marrë përmasa ndërkombëtare, Boeing dhe autoritetet e aviacionit civil janë nën presion të jashtëzakonshëm për të zbardhur të vërtetën.