Max Verstappen ‘fluturon’ mes kaosit në Australi, Fernando Alonso abonohet me podiumin
Gara e Australisë në Formula 1 ka qenë një spektakël i vërtetë, ku disa aksidente që ndodhën në pistë e bënë atë të paparashikueshme. Në fund trumfoi Maks Verstapen me “Red Bull”, që korri fitoren e dytë sezonale dhe kryeson renditjen.
Gara nis jo mirë për holandezin, që gaboi në start, por pas flamurit të parë të kuq, në xhiron e 12-të, arrin të rikuperojë kreun dhe nuk e lëshoi atë deri në fund. Starti i garës ishte një zhgënjim edhe për Çarls Leclerc që del jashtë pas një kontakti dhe e mbyll aventurën australiane pas disa kthesash.
Më pas, gara bëhet monotone, me pilotët që ruajnë pozicionet e tyre, duke ruajtur edhe gomat e forta deri në fundin e saj. Mirëpo 5 xhiro nga fundi, një aksident i Magnusen me “Haas”, që përplaset me muret mbrojtëse, bën që gara të ndalet sërish, pasi valëvitet flamuri i kuq. I dyti u klasifikua Ljuis Hamilton me “Mercedes”-in, në podiumin e parë sezonal, ndërsa i treti Fernando Alonso, që ngjitet për herë të tretë në këtë shkallë të klasifikimit në këtë sezon.
Një tjetër garë për t’u harruar për “Ferrari”-n, me Leclerc që doli jashtë piste, ndërsa Sainz u penalizua me 5 sekonda si fajtor për aksidentin e tretë. Gara rinis me 3 xhiro nga fundi, por një aksident masiv përfshin disa makina pas vetëm 2-3 kthesash, duke detyruar komisarët e garës ta ndalin sërish atë. Vetëm 12 makina janë në start, ndërkohë që ka mbetur vetëm një xhiro nga fundi, e cila kryhet nën regjimin e makinës së sigurisë.
Kështu, triumfon Verstapen, që lë pas Hamiltonin e Alonson, ndërkohë që në “Top-10” më të mirët renditen edhe Stroll, Perez, Norris, Hulkenberg, Pjastri, Zho e Tsunoda. Spanjolli Karlos Sainz, që e mbylli i katërti, pas penalizimit u pozicionua i fundit.