Matura Shtetërore/ Mbi 27 mijë nxënës testojnë sot njohuritë në provimin e Matematikës

Këtë të martë mbi 27 mijë maturantë do t’i nënshtrohen provimit të Matematikës. Ky është provimi i tretë i Maturës Shtetërore, pas atij të Gjuhës Shqipe dhe Gjuhës së Huaj.

Testimi nis në orën 10:00 dhe zgjat 2 orë e 30 minuta. Ashtu si dhe në dy provimet e para nxënësit duhet të paraqiten në shkolla që prej orës 08:00, të pajisur me një dokument identifikimi (kartë ID ose pasaportë). Mbajtja e telefonave apo orëve inteligjente është rreptësisht e ndaluar.

Më 24 qershor maturantët do të zhvillojnë provimin e fundit, atë me zgjedhje, ku do të testohen për njohuritë e marra nga shkencat natyrore dhe shoqërore .