Materialet zgjedhore mbërrijnë në Berat dhe Vlorë nën masa të rrepta sigurie, ushtria dhe policia në gadishmëri për 11 majin

Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit ka vijuar sot në qarqet Berat dhe Vlorë, ku kutitë e votimit dhe pajisjet e tjera ndihmëse po dorëzohen nën masa të rrepta sigurie. Pas Korçës, edhe në Berat materialet mbërritën të shoqëruara nga automjete të ushtrisë dhe forcat e policisë në të gjashtë KZAZ-të e qarkut, përkatësisht dy në bashkinë Berat dhe nga një në bashkitë Kuçovë, Dimal, Poliçan dhe Skrapar.

Burime zyrtare raportojnë se të njëjtat masa po zbatohen edhe në shpërndarjen drejt pesë bashkive të qarkut, ndërsa forcat e Policisë së DVP Berat janë vendosur në gatishmëri për të siguruar materialet deri në dorëzimin e tyre në të gjitha qendrat e votimit.

Ndërkohë, edhe në qarkun e Vlorës ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore. Në KZAZ nr. 84, e vendosur pranë palestrës së shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, kanë mbërritur pajisjet për procesin e numërimit dhe për vëzhguesit, ndërsa në vijim pritet të dorëzohen edhe kutitë e votimit, të cilat do të shpërndahen të shtunën në të gjitha qendrat e votimit.

Kryetari i KZAZ-së 84, Ervin Shakaj, konfirmoi se kjo zonë zgjedhore përfshin 68 qendra votimi nga të gjitha njësitë administrative të bashkisë Vlorë. Ai bëri të ditur se të gjitha qendrat janë inspektuar, ndërsa është përcaktuar edhe përbërja e komisionerëve.

Bashkia Vlorë përfshin gjithsej katër KZAZ – nr. 84, 85, 86 dhe 87 – të vendosura përkatësisht në palestrën e shkollës “Ismail Qemali”, gjimnazin “Ali Demi” dhe Pallatin e Sportit të qytetit. Autoritetet mbeten në gatishmëri të plotë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.