Mateo Kovacic zgjedh të ardhmen, firmos me skuadrën kampione

Mateo Kovaçiç është dhurata e parë për Pep Guardiolën në këtë merkato vere.

Manchester City arriti akordin me “blutë e londrës” për mesfushorin kroat me shifrën e 40 milionë eurove, duke u bërë kështu blerja e radhës për kampionët e Europës.

Pas 5 vitesh në kryeqytetin anglez, Kovaçiç ndryshon fanellën por nuk largohet nga Premier League angleze, për të kaluar kështu në radhët e Cityt.

Fituesit e tre trofeve në këtë sezon do të paguajnë fillimisht 30 milionë euro plus 10 milionë euro të tjera që do të shkojnë në formë bonusesh në varësi të paraqitjes së lojtarit në fushë.

Kjo do të jetë lëvizja e pestë në karrierë për futbollistin ballkanas si profesionist. Më parë, 29-vjeçari ka veshur fanellën e Dinamo Zagreb, Inter, Real Madrid dhe Chelsea.

Në radhët e londinezëve, ai fitoi 4 trofe, përfshirë Ligën e Kampionëve, teksa luajti në 221 ndeshje. Përgjatë këtyre viteve, ai shënoi 4 gola dhe dhuroi 13 asistime në 142 ndeshje në Premier League.

Firma me Kovacic rrit konkurencën në radhët e Manchester Cityt, me Guardiolën që duket se ka gjetur kështu pasuesin e Ilkay Gundogan, në skadencë kontrate me kampionët e Anglisë dhe Europës.