Mashtruan të huaj për investime në bursa fiktive, arrestohen 13 persona! Administratori i Call Center-it në kërkim
Një skemë mashtrimi me investime fiktive në bursa është goditur nga Policia e Elbasanit në kuadër të operacionit policor të koduar “Fictitious”, duke çuar në arrestimin e 13 personave, ndërsa administratori i Call Center-it ku kryhej kjo veprimtari është shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Prokurorinë e Elbasanit, punonjësit e këtij Call Center-i telefononin shtetas të huaj, kryesisht italianë, duke u prezantuar si agjentë financiarë dhe i bindnin ata të investonin në bursa fiktive si Forex.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë:
• E. Ç., 29 vjeç, B. F., 46 vjeçe, Sh. I., 31 vjeçe, A. K., 32 vjeçe, E. L., 33 vjeçe, F. P., 36 vjeçe, G. K., 23 vjeçe, R. L., 31 vjeçe, G. K., 29 vjeç, D. H., 38 vjeçe, S. D., 30 vjeç, A. K., 30 vjeçe dhe A. C., 24 vjeç.
Ndaj pesë të tjerëve është nisur procedim penal për “Mashtrimi kompjuterik, kryer në bashkëpunim”.
Gjithashtu, administratori i subjektit, G. D., 45 vjeç, është shpallur në kërkim për veprat penale:
• “Mashtrimi kompjuterik” kryer në bashkëpunim
• “Fshehja e të ardhurave”
• “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”
• “Punësimi i paligjshëm”
• “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
Gjatë operacionit, policia sekuestroi 70 njësi kompjuterike, 2 laptopë, 33 celularë dhe 1 DVR, që shërbenin për organizimin e skemës mashtruese.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për hetime të mëtejshme. Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e administratorit të Call Center-it, si dhe për zbardhjen e plotë të kësaj skeme mashtrimi që ka dëmtuar financiarisht dhjetëra shtetas të huaj.