Mashtronin të huajt për investime fiktive në bursa, arrestohet administratori i një call-centeri në Tiranë
Një 39-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi administronte një call-center që mashtronte të huajt duke i bindur të investonin në bursa fiktive. Gjithashtu, janë vënë nën hetim 13 operatorë, mes tyre edhe shtetas të huaj.
Operacioni policor çoi në sekuestrimin e pajisjeve kompjuterike, aparateve celulare dhe materialeve të tjera që përmbanin të dhëna të mashtrimit. Call-centeri funksiononte pa licencë dhe me aktivitet të padeklaruar në rrugën “Themistokli Gërmenji” në kryeqytet.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, operatorët u kapën në flagrancë duke mashtruar qytetarë të huaj përmes telefonit. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.