Mashtronin me TVSH-në dhe i shkaktuan shtetit 3 milionë euro dëm, arrestohet 19-vjeçari i shpallur në kërkim – zbulohen skemat fiktive

Një 19-vjeçar nga Durrësi ka përfunduar në prangat e policisë, si pjesë e një grupi që dyshohet se ka mashtruar me skema fiktive tatimore, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej rreth 3 milionë eurosh.

Luvjano Topi ishte shpallur në kërkim pas një operacioni të zhvilluar 6 muaj më parë, të koduar “Skema”, në kuadër të të cilit u identifikuan 7 persona që kishin krijuar dokumente të rreme dhe deklaruar të dhëna financiare fiktive për subjektet që administronin apo ku ishin të punësuar. Këto veprime kishin si qëllim shmangien e detyrimeve tatimore, veçanërisht të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH).

Gjykata e Durrësit kishte lëshuar më herët një urdhër arresti për Topin, duke caktuar ndaj tij masën “arrest në burg”, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Operacioni për kapjen e të kërkuarve të tjerë vijon, ndërsa materialet procedurale i janë referuar tashmë Prokurorisë pranë Gjykatës së Durrësit për hetime të mëtejshme.