Mashtrimi kompjuterik me bursat, SPAK sekuestron pasuritë e të dënuarit me 11 vite burg

Finalizohet operacioni i koduar “Fraud”,.

GJKKO ka sekuestruar 4 pasuri të 42-vjeçarit, Erjon Kasmi, i cili përmes mashtrimit kompjuterik në bursa ka përfituar një vlerë prej rreth 1.2 mln euro.

GJKKO e ka dënuar Erjon Kasmin me 11 vite burg në muajin korrik 2024 dhe me gjykim të shkurtuar i është ulur 1/3 e dënimit, që shkon 7.4 vite burg, për “mashtrimi kompjuterik” dhe “grupi i strukturuar kriminal”.

NJOFTIMI I POLICISE:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fraud”, për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga krimi.

Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i DVP Tiranë, në drejtimin e SPAK.

Sekuestrohen 4 pasuri të paluajtshme, me vlerë rreth 1 200 000 euro, të një shtetasi me precedent për mashtrim kompjuterik në bursa.

Në vijim të punës gjurmuese dhe hetimore, për konstatimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, u finalizua operacioni i koduar “Fraud”, në kuadër të të cilit u ekzekutua vendimi i GjKKO-së, për sekuestrimin e 4 pasurive të shtetasit E. K., 42 vjeç, banues në Tiranë.

Konkretisht, u vendos sekuestro mbi 1 aparament, 2 vendparkime për automjete dhe 1 subjekt tregtar, pasuri të cilat dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 42-vjeçarit, në fushën e mashtrimit kompjuterik, në bursa.

Materialet procedurale iu referuan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.