Mashtrim me kompani fiktive, dëmtojnë shtetin me 45.5 milionë lekë! Në gjyq 4 persona që krijuan “NIPT-e shëtitës” për veprime fiktive importi (EMRAT)

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim katër shtetas të akuzuar për përfshirje në një skemë mashtrimi tatimor, e cila i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 45,567,228 lekësh.

Të pandehurit Serxho Mahmutaj, Zenel Ruzaj, Endi Stafa dhe Panajot Kosta akuzohen për veprat penale “Mashtrimi” (neni 143), “Fshehje të të ardhurave në bashkëpunim” (neni 180/25) dhe “Moskallëzim krimi” (neni 300) të Kodit Penal.

Sipas hetimeve të prokurorisë, të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 1695 të vitit 2024, rezulton se Serxho Mahmutaj ka qenë organizatori i skemës dhe përfituesi kryesor, i cili ka ngritur tre subjekte tregtare fiktive, duke përdorur të dhënat personale të tre të pandehurve të tjerë, për të realizuar veprime të rreme importi në favor të tregtarëve të ndryshëm.

Të ashtuquajturat “NIPT-e shëtitës” kanë funksionuar për të shmangur detyrimet tatimore dhe për të furnizuar me mallra tregtarët pa lëshuar fatura tatimore. Edhe pse në fillim Ruzaj, Stafa dhe Kosta pretendohet se kanë vepruar në mirëbesim, ata më pas kanë pranuar të marrin pagesa mujore dhe të hapin kompani në emrin e tyre, duke u bërë pjesë e aktivitetit të paligjshëm.

Hetimet kanë dokumentuar se subjekte të krijuara nga kjo skemë kanë kryer një qarkullim të përgjithshëm në vlerën 303,781,520 lekë, duke falsifikuar shpenzime me qëllim uljen e fitimit të tatueshëm dhe shmangien e taksave.

Dosja tashmë ndodhet në Gjykatë dhe katër të pandehurit do të përballen me drejtësinë për një ndër skemat më të sofistikuara të mashtrimit fiskal në Tiranë vitet e fundit.