Masakra në Malin e Zi/ Autori kishte më shumë objektiva, iu gjetën 80 gëzhoja në xhepa

Drejtori i Policisë së Malit të Zi, Lazar Shqepanoviq tha se Aco Martinovic, i cili vrau 12 persona në Cetinje, e filloi krimin në një restorant në Velestovë afër Qendrës Sportive.

Pas një incidenti mes tij dhe një personi tjetër, ai shkoi në shtëpi për të marrë një armë, u kthye në lokal dhe aty vrau katër persona. Më pas, shkoi dhe në tre vende të tjera duke shtuar numrin e viktimave të tij. Për Policinë e Malit të Zi, motivi është ende i paqartë.

Martinoviç kishte me vete 80 plumba të tjerë nëpër xhepa. 45-vjeçari qëlloi veten me armë zjarri pasi ishte i rrethuar nga Policia. Njësitet speciale të Policisë e pikasën me ndihmën e një kamere termike dhe i bënë disa herë thirrje që të hidhte armën dhe të vetëdorëzohej. Por Martinoviç zgjodhi që t’i jepte fund jetës.