Masakra e heshtur në Hungari/ Gratë që helmuan mbi 300 burra për t’u çliruar prej tyre

Një nga ngjarjet më të errëta dhe më tronditëse të shekullit XX ka ndodhur në fshatin Nagirev të Hungarisë, ku një grup grash, të njohura sot si “Engjëll-bërësit e Nagirevit”, helmuan për vdekje dhjetëra e ndoshta qindra familjarë të tyre, përfshirë bashkëshortë, prindër, rivalë dhe fëmijë.

Ngjarja nisi të marrë formë gjatë periudhës 1914–1929, kur mami Suzana Fazekash, një grua me një të kaluar misterioze dhe e njohur për kryerjen e aborteve ilegale, nisi të ndante “zgjidhje” për gratë e dëshpëruara të fshatit: arsenik vdekjeprurës për të hequr qafe burrat abuzivë në një kohë kur divorci ishte tabu.

Pas kthimit të burrave nga Lufta e Parë Botërore, shumë gra që ishin bërë të pavarura financiarisht dhe emocionalisht nuk donin të ktheheshin në jetë të nënshtruara. Kështu nisi seria e helmimeve, që sipas disa historianëve, mund të kenë arritur deri në 300 viktima.

Skema mori përmasa të frikshme kur arseniku filloi të përdorej jo vetëm kundër bashkëshortëve, por edhe për interesa të trashëgimisë, rivalitetit apo thjesht hakmarrjes. Në certifikatat e vdekjes nuk kishte asnjë gjurmë dyshimi, pasi ishin plotësuar nga bashkëpunëtorja e Fazekash, Susi Olah.

Pasi rënia e rrjetit u bë publike, 40 trupa u zhvarrosën, të gjitha me shenja helmimi. Në total, u arrestuan 34 gra dhe një burrë, ndërsa disa u dënuan me vdekje apo burgim të përjetshëm. Fazekash vetë e mbylli jetën me një dozë të arsenikut që e kishte shpërndarë tek të tjerat.