Masakër në Gjermani! Punonjësi afgan vret me thikë shefin dhe tenton arratisjen me para në duar

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Krefeld-it në Gjermani mbrëmjen e së mërkurës, ku një 25-vjeçar me origjinë afgane dyshohet se ka vrarë me thikë shefin e tij 41-vjeçar. Sipas raportimeve, incidenti ndodhi rreth orës 19:20 në një sallon në qendër të qytetit, gjatë momentit kur po numëroheshin të ardhurat e ditës.

Autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari e sulmoi papritur viktimën, duke e goditur disa herë me thikë, çka i shkaktoi vdekjen në vend për shkak të plagëve të rënda. Pas ngjarjes, autori tentoi të arratisej duke marrë me vete paratë e arkës ditore, por u ndalua pak metra larg vendit të krimit, në zonën e Hochstraße, ku patrulla e policisë arriti ta arrestojë menjëherë.

Zyra e prokurorit në Krefeld ka konfirmuar ngjarjen dhe ka njoftuar se i dyshuari do të dalë para një gjykate për masë sigurie gjatë ditës së sotme. Hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të këtij krimi janë ende në zhvillim.