Martesat brenda fisit shkatërrojnë një qytet! Përhapet sindroma e rrallë neurologjike Spoan

Një fenomen tronditës është zbuluar në një nga zonat më të izoluara të Brazilit, në qytetin e vogël Serrinha dos Pintos, në rajonin veriperëndimor të vendit. Martesat brenda fisit, të praktikuara për breza të tërë, kanë sjellë pasoja të rënda shëndetësore për komunitetin, duke shkaktuar përhapjen masive të një sëmundjeje të rrallë gjenetike të quajtur sindroma Spoan.

Kjo sëmundje, e identifikuar nga studiuesja Silvina Santos, prek sistemin nervor dhe shkakton dëmtime progresive që fillojnë në fëmijëri. Të prekurit humbasin aftësinë për të ecur dhe për të komunikuar normalisht, ndërsa me kalimin e viteve simptomat përkeqësohen deri në izolim total. Në thelb të kësaj tragjedie shëndetësore është praktika e martesave ndërmjet kushërinjve të parë e të dytë, e nxitur nga mungesa e migrimit dhe izolimi ekstrem i zonës.

Sipas studiueses Santos, mutacioni që shkakton këtë sindromë mendohet se u fut në komunitet më shumë se 500 vjet më parë, ndoshta nga kolonë evropianë – si hebrenjtë sefardë apo afrikanët veriorë – që u arratisën nga Inkuizicioni dhe u vendosën në këto zona të largëta të Brazilit.

Rastet në Serrinha dos Pintos janë të shumta. Historia e familjes së Ines, një grua e martuar me kushëririn e saj të dytë, ilustron pasojat tragjike të kësaj trashëgimie gjenetike: dy djemtë e saj, 59 dhe 46 vjeç, vuajnë nga vështirësi të mëdha në të folur dhe të kuptuar. “Është e vështirë të kesh një fëmijë me nevoja të veçanta. I duam shumë, por vuajmë për ta,” – rrëfen ajo për BBC.

Edhe Larissa Queiroz, 25 vjeçe, zbuloi pas martesës se burri i saj ishte një i afërm i largët. “Në Serrinha dos Pintos, në thelb të gjithë jemi kushërinj. Jemi të gjithë të lidhur me njëri-tjetrin,” – thotë ajo.