“Martesa e vdekjes”! Pastruesja martohet fshehurazi me milionerin 75-vjeçar që vdiq një ditë më pas! Pasuria 5.5 milionë € ndez luftë gjyqësore!
Një ngjarje e pazakontë dhe e ngarkuar me dyshime ka tronditur qytetin Tullamore të Irlandës, ku një 50-vjeçare, Lisa Flaherty, është vënë nën hetim për vdekjen e burrit të saj shumë më të moshuar, Joseph Grogan, vetëm një ditë pasi ata u martuan fshehtas. Çështja po hetohet si e dyshimtë dhe ka shkaktuar reagime të forta publike dhe ligjore.
Sipas mediave britanike, Grogan, 75 vjeç, një figurë e njohur në komunitetin bujqësor dhe ish-organizator i Kampionatit Kombëtar të Lërimit, ndërroi jetë papritur një ditë pas martesës me pastruesen e tij, Lisa Flaherty. Martesa u krye në mënyrë të fshehtë në një zyrë civile, ndërsa trupi i tij u balsamos me nxitim vetëm disa orë pas vdekjes, duke bërë të pamundur kryerjen e një autopsie të plotë.
Në një hetim tre-ditor të zhvilluar më 16 korrik, avokati i familjarëve të të ndjerit, Damien Tansey, hodhi dyshime serioze mbi sqarimet e zonjës Flaherty, duke i cilësuar pretendimet e saj për një kancer terminal si të pavërteta. Ai theksoi gjithashtu se marrëdhënia mes çiftit kishte nisur që kur Flaherty ishte vetëm 16 vjeç, duke e përshkruar lidhjen si të dyshimtë dhe potencialisht abuzive.
Mjeku ligjor, Raymond Mahon, përcaktoi se vdekja mund të jetë shkaktuar nga një infeksion i lidhur me sistemin e dobësuar imunitar për shkak të kimioterapisë, por vuri në dukje se kishte shqetësime për kujdesin që i ishte ofruar Grogan në ditët e fundit. Ai konfirmoi gjithashtu se vetë Grogan kishte refuzuar vazhdimisht trajtimin mjekësor.
Një element kyç që ngre dyshime është fakti që Lisa Flaherty është tashmë trashëgimtarja e vetme e pasurisë së Grogan, e vlerësuar në 5.5 milionë euro. Familjarët e të ndjerit kanë shprehur zemërimin e tyre për procedurat e kryera pas vdekjes dhe kanë paralajmëruar se do ta çojnë çështjen në Gjykatën e Lartë për të sfiduar vlefshmërinë e martesës dhe ndarjen e pasurisë.
Avokati i zonjës Flaherty, Stephen Byrne, i ka quajtur akuzat të pabazuara dhe ka deklaruar se klientja e tij ka vepruar në përputhje me dëshirat e bashkëshortit, i cili kishte vendosur të mos merrte më trajtim mjekësor.