Marta Kos: Shqipëria mbyll negociatat me BE në vitin 2027
Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos ka deklaruar se Shqipëria në vitin 2027 do të mbyllë procesin e negociatave.
Deklaratën ajo e dha në një intervistë për Radio Televizionin Slloven.
“Dy shtete nga Ballkani Perëndimor janë në pararojë të procesit të anëtarësimit në BE. Mali i Zi që renditet në krye, vend me të cilin negociatat mund të përfundojnë deri në fund të vitit 2026. Shqipëria është në vendin e dytë dhe besoj se mund të kalojë vijën e finishit për ti mbyllur negociatat në fund të vitit 2027. Vendimi përfundimtar do të merret nga shtetet anëtare të BE-së. Jam e vetëdijshme për rëndësinë e jashtëzakonshme të komunikimit sepse nuk mund ta imagjinoj që pasi të kenë përfunduar të gjitha negociatat, shteti anëtar do të thoshte jo, ne nuk e duam atë vend në Bashkimin Europian, prandaj jam optimiste për të dyja shtetet pararojë, Shqipërinë dhe Malin e Zi”, u shpreh Marta Kos.