“Marrin garanci nga…”/ Berisha i bën thirrje Trump dhe SHBA: Shpallni grupet kriminale shqiptare, terroristë!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është drejtuar presidentit Donald Trump dhe qeverisë amerikane me një thirrje të fortë për të shpallur kartelet e drogës në Shqipëri organizata terroriste.

Berisha theksoi rëndësinë e këtij veprimi në kuadër të operacionit “Ura” dhe akuzoi qeverinë shqiptare për lidhje të ngushta me këto grupe kriminale.

“Në qeverinë e SHBA ka një ndryshim cilësor e të rëndësishëm. Prokuroria e Përgjithshme flet për kartele droge, Trump i ka shpallur disa kartele terroriste. I bëj thirrje Trump dhe qeverisë amerikane të shpallë terroriste kartelet këtu që lëvizin miliarda euro para droge dhe që i lajnë lirshëm pa asnjë lloj kufizimi me firmën e Ramës.

Deklarimi organizata terroristë i organizatave të mëdha mafioze shqiptare, kontribut i madh për sigurinë në Shqipëri, rajon në NATO dhe Europë.

Garantoj se PD është gati të paraqesë çdo provë që vërteton implikimin e Ramës, Taulant Ballës, Ervin Hoxhës e shumë të tjerëve në këto kartele.

Theksoj se dita e djeshme shënon një moment kthese të rëndësishme për shqiptarët dhe jo vetëm. Qeveria është narkoshtet dhe i karteleve të drogës”, u shpreh Berisha.