Marrëveshje historike në Siri! Forcat kurde bashkohen me ushtrinë siriane, qeveria merr kontrollin e kufijve
Qeveria qendrore e Sirisë dhe autoriteti i udhëhequr nga kurdët në verilindje kanë arritur një marrëveshje historike që përfshin armëpushimin dhe integrimin e Forcave Demokratike Siriane (SDF) në ushtrinë siriane.
Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti i përkohshëm Ahmad al-Sharaa dhe komandanti i SDF-së, Mazloum Abdi, dhe pritet të sjellë pjesën më të madhe të vendit nën kontrollin e qeverisë.
Sipas marrëveshjes, deri në fund të vitit, Damasku do të marrë në dorë kontrollin e pikave kufitare me Irakun dhe Turqinë, aeroporteve dhe fushave të naftës. Në këmbim, kurdët do të fitojnë të drejtat për përdorimin dhe mësimdhënien e gjuhës së tyre, të ndaluara për dekada nga regjimi i Bashar al-Assad.
Ky zhvillim mund të ndryshojë balancat e pushtetit në Siri dhe të ndikojë në raportet me aktorët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe Turqinë.