Marrëveshja me Italinë për emigrantët, PS: Të enjten në Kuvend! Kalojmë edhe amnistinë penale, diskutime me opozitën për 84 votat

TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh nën drejtimin e Bledi Çuçit, ku në fokus të diskutimeve ka qenë axhenda e javës në Kuvend. Në fjalën drejtuar deputetëve të mazhorancës, kreu i grupit tha se në seancën e ditës së enjte, 22 shkurt, pritet të kalojë për votim marrëveshja me Italinë për emigrantët, si edhe amnistia penale.

Çuçi tha se pritet zbardhja e plotë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese këto ditë të para të javës, që i hap më pas rrugë për çuarjen në seancë.

Sa i takon amnistisë penale, pritet që Komisioni i Ligjeve ta kalojë të martën dhe më pas të dërgohet në Kuvend për votim. Ashtu siç është bërë me dije edhe më parë, Çuçi ka theksuar se janë në diskutime me opozitën për të bërë të mundur mbledhjen e 84 votave.

Projektligjin për Amnistinë Penale, Komisioni për Çështjet Ligjore parashikon për ta kaluar të martën. Do të rakordojmë dhe me opozitën për të bërë 84 votat e nevojshme për miratim”, deklaroi Çuçi.

Amnistia penale ka mbetur ‘peng’ që nga muaji dhjetor, ndërsa Kuvendi pritet t’i japë dritën jeshile pas diskutimit me grupin e PD, të cilët pritet që të japin votat e tyre në këmbim që përfitues të jenë edhe protestuesit e PD përgjatë 1 tetor 2018 deri në 31 dhjetor 2020. Në seancës e së enjtes, pritet që të kalojë edhe marrëveshja për programin e shkëmbimit të studimeve universitare në Evropën Qendrore, si edhe projektligji për Zonat e Mbrojtura.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS kërkoi gjithashtu prezencë të deputetëve në seancë në mënyrë që projektligjet dhe marrëveshjet e parashikuara në rendin e ditës të miratohen.