Marrëveshja me Italinë për emigrantët, nisin punimet për ndërtimin e kampit të refugjatëve në Gjadër

Kanë nisur punimet për kampin e refugjatëve në Gjadër . Prej disa ditësh makineritë janë stacionuar brenda zonës ushtarake në hyrje të fshatit.

Refugjatët do të priten në një strukturë që do të ngrihet në Portin e Shëngjinit dhe nga aty do të transportohen me autobusë rreth 35 km në Gjadër, ku do të qendrojnë pa afat deri në shqyrtimin e kërkesave për azil.

Sipas burimeve, fillimisht do të ngrihet një mur rrethues 7 metra i lartë, kjo për të penguar daljen e mundshme të emigrantëve nëse do të ketë tentativa të tilla.

Italia do të ndërtojë dy qendra të menaxhimit të emigranteve në Shqipëri, të cilat kur të jenë plotësisht funksionale, do të jenë në gjendje të menaxhojnë rreth 36 mijë persona në vit.