Marrëveshja e heshtur e Kremlinit? Rusia synon liri veprimi në Ukrainë në këmbim të ndihmës në Lindjen e Mesme
Tabloidi i njohur rus Moskovskij Komsomolets ka hedhur dritë mbi një skenar që po përflitet gjithnjë e më shumë në qarqet mediatike dhe analitike në Rusi: zhvendosja e vëmendjes ndërkombëtare nga Ukraina drejt Lindjes së Mesme dhe mundësia që Kremlini të përfitojë nga kjo situatë. Artikulli i gazetës e nis me një titull ironik: “Kievi është harruar”, duke nënvizuar se prioritetet globale, veçanërisht ato të Shteteve të Bashkuara, duket se po ndryshojnë.
Mes sinjaleve që sipas medias ruse tregojnë për këtë riorientim janë telefonata e ditëlindjes nga Vladimir Putini për presidentin Donald Trump dhe përshëndetjet e papritura nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio për Ditën e Rusisë, një gjest që nuk ishte parë prej vitit 2021. Po ashtu, transferimi i sistemeve anti-dron nga Ukraina drejt Lindjes së Mesme shihet si tregues se lufta në Ukrainë po bie nga prioritetet e Uashingtonit.
Analisti politik Malek Dudakov deklaron se përshkallëzimi i luftës midis Izraelit dhe Iranit mund të shërbejë si një katalizator për përmirësimin e marrëdhënieve mes Rusisë dhe SHBA-së. “Ata kanë nevojë për ne,” thotë ai, duke nënkuptuar se ndërmjetësimi i Putinit mund të jetë vendimtar për të shmangur një konflikt të madh që do të detyronte SHBA-në dhe sidomos Trump-in të përfshiheshin drejtpërdrejt.
Megjithatë, qëllimi i Kremlinit, sipas mediave dhe analistëve rusë, mbetet i qartë: të përfitojë për interesat e veta kombëtare. “Mos mendoni për Iranin, as për Izraelin, as për Amerikën apo Evropën. Mendoni vetëm për Rusinë,” shkruan analisti Mikhail Rostovskij.
Kjo qasje i jep prioritet objektivit kryesor të Moskës: Ukrainën. Nëse vëmendja globale dhe ndihma ushtarake e Perëndimit për Ukrainën zbehen, atëherë Rusia ka më shumë hapësirë për të vepruar. “Pas luftës mes Iranit dhe Izraelit, Zelensky mund të mbetet i vetëm përballë Putinit dhe një populli të lodhur nga lufta,” shkruan ish-këshilltari i Kremlinit Sergey Markov.
Ekonomisti Mikhail Khazin paralajmëron se një zgjedhje e SHBA-ve mes Ukrainës dhe Izraelit do të përfundojë gjithmonë në favor të Izraelit. Ndërkohë, sipas mediave afër Kremlinit, Trump mund të përpiqet të përfitojë nga ky rasti për të mbyllur luftën në Ukrainë dhe për të shmangur angazhimin e SHBA-ve në dy fronte të mëdha.