Marrëveshja e Gazës, sot lirohen katër pengje të tjera! Të gjitha gra ushtare

Katër ushtare izraelite, të gjitha gra, u liruan sot në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit. Ky është grupi i dytë i pengjeve që lirohen nga Hamasi, ndërsa në listën e publikuar nga grupi islamik nuk përmendet ndonjë civil izraelit që pritej të lirohej pas një periudhe të gjatë të robërisë.

Për këtë shkëmbim, Izraeli ka pranuar të lirojë 200 palestinezë që mbahen në burgjet izraelite, ndërsa Hamasi është angazhuar të ofrojë informacion në lidhje me 26 pengje të tjera. Këta pengje do të kthehen njëri pas tjetrit në ditët në vijim.

Në kuadër të armëpushimit, trupat izraelite duhet të tërhiqen nga pozitat kyçe në Gaza, duke mundësuar që shumë prej të shpërngulurve palestinezë të rikthehen në veri të territorit. Ky armëpushim ka hyrë në fuqi në datën 19 janar, pas disa vonesave të shkaktuara nga Hamasi, dhe po sjell një pauzë të përkohshme në konfliktin shkatërrues që ka zgjatur mbi 400 ditë.

Konflikti në Gaza kishte filluar më 7 tetor 2023, kur Hamasi kreu një sulm terrorist në Izrael, duke shkaktuar rreth 1200 viktima dhe rrëmbyer rreth 250 persona. Nga këta pengje, disa besohet të kenë humbur jetën, ndërsa më pak se 100 mbeten ende në duar të Hamasit.